Pas pritjes që i është bërë në Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, ministri Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se është diskutuar për realizimin e marrëveshjes kornizë në fushën e mbrojtjes.
Maqedonci, është pritur të martën në Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara (SHBA) nga ndihmëssekretari i Mbrojtjes për NATO dhe Evropë, Alton Buland.
“Me z. Buland diskutuam veçanërisht për objektivat e arritura në kuadrin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së, për rrugën që na pret përpara gjatë fazës së tretë dhe finale të këtij plani dhe për realizimin e marrëveshjes kornizë ndërmjet vendeve tona në fushën e mbrojtjes”, ka shkruar ministri Maqedonci në Facebook.
“Gjithashtu bashkë me gjeneral Jasharin i diskutuam me z. Buland planet e ardhshme për bashkëzbarkime të FSK-së me trupat amerikane në misionet ndërkombëtare që do të realizohen këtë vit, si dhe plane e ide të tjera”.
Në njoftimin për këtë takim, që e ka bërë Ministria e Mbrojtjes, theksohet se marrëveshja kornizë në fushën e mbrojtjes “do të hapë mundësi të reja në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”.
Aty janë dhënë edhe informacione të tjera.
“Gjeneral Jashari diskutoi për aktivitetet e shumta bilaterale ushtarake në mes të dy forcave si dhe për planet konkrete për bashkëpunim dhe bashkëzbarkim me Gardën Kombëtare të Iowas. Një diskutim tjetër i rëndësishëm ishin hapat e mëtutjeshëm për finalizimin e planit 10-vjeçar të tranzicionit”, thuhet në njoftim. “Në anën tjetër, z. Buland theksoi rëndësinë e partneritetit mes dy vendeve dhe ofroi mbështetjen e Departamentit të Mbrojtjes për rrugëtimin përpara drejt përmbushjes së objektivave strategjike”.
Sipas njoftimit, të dyja palët janë pajtuar që bashkëpunimi bilateral është në nivel të lartë dhe me hapa konkretë për zhvillim të mëtutjeshëm në shërbim të garantimit të interesave të sigurisë të dy vendeve.
Para këtij takimi delegacioni i Kosovës ka zhvilluar takim në Atlantic Council, ku është pritur nga Jörn Fleck, drejtor senior në këtë think-tank, si dhe nga bashkëpunëtorët e tij. Aty është diskutuar rreth situatës globale të sigurisë, sulmeve terroriste në veri, situatës së sigurisë në Kosovë dhe influencës e bashkëpunimit Rusi-Serbi në shërbim të destabilizimit të rajonit.
Në njoftim është thënë se ministri Maqedonci konfirmoi angazhimin institucional të Kosovës për integrim në NATO dhe BE dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.