Në mbrëmjen e tretë të “Film Flaka“, që u mbajt si aktivitet përcjellës i „Flakës së Janarit 2025“ është dhënë premierë edhe filmi dokumentar „ Mbretëresha Teutë“, sipas idesë dhe regjisë së regjisorit Esat Brajshjori.
Ky dokumentar, i cili përafërsisht zgjatë 20 minuta bënë fjalë për mbretëreshën ilire Teuta, e cila mbretëroi gjatë viteve 230-227 para erës sonë.
Regjisori Brajshori, gjatë bërjes së këtij filmi dokumentar është bazuar në historinë e lashtë të ilirëve, me theks të veçantë për jetën e veprën e mbretëreshës Teuta dhe luftërat e saja për mbajtjen gjallë të vendit të cilin ajo e drejtonte.
Publiku me kërshëri e ka përcjellë këtë dokumentar, i cili mbase do të jetë i dobishëm edhe në emisionet arsimore e pse jo edhe nëpër shkollat tona, në klasat ku mësohet historia.
Kjo ka qenë edhe vetë ideja e regjisorit Esat Brajshori, i cili pas premierës ka theksuar se deri më tash nuk është bërë ndonjë film dokumentar apo edhe i metrazhit të gjatë për mbretëreshën Teutë.
Ai tha se ambiciet e tija kanë qenë për një film dokumentar artistik, por mbështetja ka qenë aq e mangët, sa që regjisori ka thënë se filmin e ka bërë me thonj.
„Është e dhimbshme kur i drejtohesh Akademisë së Arteve dhe Shkencave, si institucion i thirrur për të studiuar të gjitha periudhat e historisë kombëtare dhe nuk merr asnjëherë një përgjigje kthyese, andaj detyrohesh të gjesh shkrime nga autorë sllavë, sidomos nga ata kroatë dhe malazezë për t’u munduar t’a ndërtosh një narrativë për një figurë që ka shumë rëndësi për historinë e shqiptarëve“, ka theksuar regjisori Brajshori, i cili ka shtuar se shembullin e Teutës nuk e gjen te asnjë popull tjetër, që të kesh një femër mbretëreshë, e që nëse tërheqim një paralele, jemi populli i vetëm që për një periudhë të shkurtër kohore kemi patur dy femra presidente të vendit.
Brajshori thotë se po nuk hapën arkivat e Romës, të Sarajevës e të Zagrebit, ku ka shumë materiale, andaj nuk po mund të shpërfaqim saktë figurën e mbretëreshës Teutë.
Rreth mundësisë së bërjes së një filmi të metrazhit të gjatë për mbretëreshën Teutë, regjisori Esar Brajshori, ka thënë se nuk ka çmim të papërballueshëm për një film të tillë, ngase ai është identiteti i ynë. Shtrenjtë është mosstudimi deri në fund i kësaj figure, ngase kemi të bëjmë me identitetin tonë historik, kombëtar.
Teutën mundohen të na e marrin, të na përvetësojnë e ne kemi dëshmi nga autorët grekë e romakë që japin të dhëna se ajo ka qenë një mbretëreshë tipike ilire.
Ky film është me narracion të lehtë, shumë i kapshëm për nxënës dhe mund t’u dedikohet atyre dhe të mësojnë duke parë e duke u argëtuar.