Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Burbuqe Leka, ka njoftuar se Komuna e Kamenicës është komuna e parë nga të gjitha Komunat e Kosovës që ka përmbushur rreth 80% të dokumentacionit të kërkuar për certifikimin si “Komuna më e Përshtatshme për Biznes”, duke bërë një hap të madh drejt marrjes së Certifikatës BFC (Business Friendly Certificate).
Sipas drejtoreshës Leka ky projekt i rëndësishëm është pjesë e një gare për të certifikuar komunat që ofrojnë një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e biznesit dhe se për këtë, është e nevojshme të plotësohen deri në 10 kritere eliminuese, si dhe nënkriteret që përfshijnë aspekte të ndryshme të administratës, shërbimeve dhe infrastrukturës që mundësojnë mbështetje të fortë për investitorët dhe ndërmarrjet.
Ajo ka theksuar se lidhur me këtë Kamenica ka përmbushur thuajse të gjitha kriteret dhe deri tani ka ngarkuar mbi 170 dokumente në sistemin e vlerësimit të ofruar nga ekspertët e projektit.
“Ky certifikim do të sjellë përfitime të jashtëzakonshme për komunën tonë, duke përfshirë:
Përmirësimin e klimës për investime dhe biznes – do të rrisë besimin e investitorëve dhe do të tërheqë më shumë investime, si të huaja ashtu edhe të brendshme.
Rritje të mundësive për zhvillim ekonomik – duke krijuar mundësi për bizneset ekzistuese dhe të reja.
Mbështetje për ndërmarrjet dhe inovacionin – do të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e bizneseve të reja dhe nxitjen e sipërmarrësisë.
Përmirësimi i shërbimeve dhe procedurave administrative – do të lehtësohen proceset për të siguruar leje, licenca dhe shërbime të tjera të nevojshme për zhvillimin e biznesit.
Pjesëmarrje më e lehtë në fondet e BE-së dhe fondet ndërkombëtare – certifikimi do të sigurojë që komuna jonë të mos skenohet negativisht gjatë aplikimeve për financime dhe mundësira të tjera mbështetëse nga fondet ndërkombëtare”, ka thënë drejtoresha Leka.
Ndër të tjera ajo ka falënderuar për punën e palodhur të ekipit punues për realizimin e këtij projekti.
“Ky është një hap i madh përpara në përpjekjet tona për ta bërë Kamenicën një destinacion tërheqës për investime dhe zhvillim ekonomik. Shpresojmë që deri në fund të arrijmë të plotësojmë gjithë dokumentacionin e kërkuar, në mënyrë që ky certifikim të sjellë mundësi të mëdha për të gjithë qytetarët dhe bizneset e komunës sonë. Jemi në rrugën e duhur për të fituar, dhe ky është vetëm fillimi”, ka theksuar ajo.