Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka prezantuar 25 zotimet së bashku me programet e planifikuara për mandatin e ri që synon ta fitojë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit
Kurti në këtë program ka përmendur investimet në shëndetësi, arsim, kulturë, sport, infrastrukturë, siguri e drejtësi.
Kurti tha se do të themelojnë Prokurorinë e re për çështje të krimit të organizuar e korrupsionit.
“Nuk ka asgjë më të rëndësishme për drejtësi se sa që institucioni i hetimit të jetë në nivelin e detyrës në raport me rrjetet kriminale që janë në vijimësi të organizuara kundër shtetit dhe të drejtës në tërësi”, tha Kurti.
Përveç kësaj, ai tha se do të krijojnë Zyrën për Hetime Disiplinore.
“Do të jetë një strukturë e re që garanton balancë dhe kontroll të efektshëm nëpërmjet pushteteve, duke rritur llogaridhënien e KGJK-së dhe KPK-së për veprimet e tyre. Zyra do të jetë përgjegjëse për trajtimin e ankesave e sjelljeve të papërshtatshme nga gjyqtarët e prokurorët. Procesi do të mund të iniciohet edhe ex -oficio.
Gjithashtu kreu i LVV-së theksoi se në mandatin e ardhëm do të themelojnë Gjykatën për Çështje Familjare.
Ndërkaq, Kurti ka përmendur edhe pagën minimale, e cila tha se do të rritet mbi 500 euro dhe e njëjta nuk do të tatohet.