Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka nisur hetime pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në procedurën e transportimit të votave.
Në një komunikatë për media të enjten thuhet se ky veprim është bërë në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve lidhur me keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës se transportimit të votimeve të qytetareve të Republikës së Kosovës në diasporë, për çka Prokurori i Shtetit filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që lidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi. Prokurori i shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha organet ligjzbatuese do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të parandalimit të dëmtimit të procesit zgjedhor”, thuhet në komunikatë.
Gazeta “InFokus” ka shkruar të enjten se Berishaj ka tërhequr zarfe me vota nga posta dhe i ka dorëzuar në ambasadën e Kosovës në Kroaci, ku drejton misionin diplomatik. Deritash nuk ka pasur ndonjë reagim nga ambasadori Berisha.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një reagim gjatë ditës ka thënë se fletëvotimet dhe materialet zgjedhore do të barten me vetura dhe do të monitorohen nga zyrtarë të këtij institucioni.