Kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve, duke falënderuar qytetarët dhe anëtarët e partisë për mbështetje të jashtëzakonshme.
Ai theksoi se, pavarësisht rezultateve, procesi zgjedhor në Gjilan kaloi pa incidente dhe me pjekuri politike.
Rashiti nënvizoi se Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar një rritje të konsiderueshme, duke fituar mbi 8 mijë vota më shumë se në vitin 2021 dhe premtoi vazhdimin e angazhimit të PDK-së për zhvillimin e qytetit dhe fitoren e zgjedhjeve komunale.
Statusi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Gjilanit, anëtarë dhe simpatizantë të PDK-së
Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve në komunën e Gjilanit, procesi zgjedhor është zhvilluar i qetë dhe pa incidente, duke treguar pjekuri politike dhe maturi qytetare, për të realizuar secili të drejten e vet për të votuar për subjektin e caktuar politik, bazuar në vlerësimet e tyre për punën e pushtetit dhe të opozitës në Gjilan dhe në Kosovë.
Nuk është pak që mbi 10 mijë Gjilanas ia hoqën besimin e dhënë pushtetit të VV-së, si pasojë e dështimeve të mëdha në të gjitha projektet kapitale për Gjilanin, si pasojë e degradimit të institucioneve tona dhe për keqpërdorimet e mëdha që i kanë bërë gjatë këtij mandati katër vjeqar qeverisës.
Ne jemi falenderues për rritjen e besimit që e kanë treguar mbi 8 mijë qytetarë të Gjilanit (2500 vota më shumë se sa në zgjedhjet e vitit 2021).
Historikisht, prej vitit 2010 e këndej, se si parti në Gjilan kemi pësuar rënie në secilin proces zgjedhor përshkak gjendjes jo të mirë në degë. Për herë të parë pas 15 vitesh, dje në Gjilan e kemi shënuar ngritjen dhe rritjen e parë si subjekt politik, falë unitetit të krijuar në degë, reformës së brendshme, ri-organizimit dhe kontributit të secilit anëtar në kuadër të strukturës sonë.
I falenderoj dhe ju jam mirënjohës secilit qytetar, anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të PDK-së për punën e jashtëzakonshme dhe kontributin e tyre gjatë kësaj fushate, duke treguar fuqinë e PDK-së e cila është rritur dhe do të rritemi edhe më shumë, për garën e re dhe për t’i fituar zgjedhjet komunale.
I falenderoj kandidatët tanë për deputet, të cilët kanë bërë një fushatë tejet pozitive, ku puna e tyre bashkë me strukturën e degës, ka treguar se ne po ri-kthehemi gradual aty ku e meritojm vendin tonë për të udhëhequr me Gjilanin.
Energjia, pozitiviteti, motivi që ka treguar struktura dhe anëtarësia e PDK në Gjilan, na bëjnë edhe më të vendosur për të vazhduar rrugëtimin tonë politik deri në fitoren e zgjedhjeve. Për ne, fushata për zgjedhjet komunale fillon që nga nesër e tutje.
Kjo fushatë e dëshmoi se ne, bashkë jemi shumë më të fortë dhe mund të arrijmë deri në fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës.
Faleminderit të gjithëve juve, ju jam mirënjohës të pa përjashtim.