Arsyeja pse ende nuk janë publikuar rezultatet për 0.83% të vendvotimeve, përfshirë ato për subjektet politike, është se materiali zgjedhor, përfshirë formularët e rezultateve, është vendosur brenda kutive të votimit dhe jo mbi to, siç parashihet me procedurë.
Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, për Insajderin, duke shtuar se ky problem prek 21 vendvotime.
Ai tha se këto të dhëna do të përditësohen vetëm pasi të fillojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, pasi hapja e kutive të votimit mund të bëhet vetëm në atë fazë.
“Ju njoftoj se arsyeja pse ende nuk janë publikuar rezultatet preliminare për subjektet politike nga 21 vendvotime apo 0.83% e tyre është se pas numërimit të votave të subjekteve politike, materiali zgjedhor, përfshirë edhe formularët e rezultateve, janë vendosur brenda kutive të votimit dhe jo mbi to, siç e parashihet me procedurë. Andaj, të dhënat nga këto vendvotime nuk mund të përditësohen tani, pasi hapja e kutive të votimit nuk mund të bëhet në këtë fazë, por vetëm kur të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.”
“Sipas përditësimit të fundit, në platformën elektronike të rezultateve, janë ngarkuar të dhënat nga 2,512 (99.17%) vendvotime nga gjithsej 2,533. Numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike ka përfunduar më 9 shkurt.”