Në prag të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Lutfi Haziri ka reflektuar mbi sakrificën dhe rrugën e gjatë të kombit drejt lirisë.
Ai thekson trashëgiminë e brezave që luftuan dhe ëndërruan për këtë ditë, duke nderuar heronjtë dhe dëshmorët që e bënë të mundur shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Haziri kujton me krenari edhe rolin e tij si negociator për statusin e Kosovës dhe si deputet nënshkrues i kësaj dite historike, duke e konsideruar këtë nder të shenjtë për gjithë jetën.
Statusi i plotë:
Në vigjilje të 17-vjetorit të pavarësisë
Së paku prej pesë brezave të fundit të familjes, kemi mësuar që të rezistojmë, luftojmë, ëndërrojmë, nderojmë, të besojmë në Zot e atdhe, duke e ruajtur familjen.
Për dallim prej të tjerëve të cilët nuk kanë para kujt të përkulen, nuk kanë për kë të krenohen e të vënë kurora lulesh, stërgjyshërit, gjyshërit e baballarët tanë na mësuan se si duhet të kryengritemi për liri. Jemi krenarë për këtë.
Sa shumë ka dhënë ky vend për këtë ditë. Heronjtë, dëshmorët e martirët e kombit janë sublimimi i 17 shkurtit 2008, ndaj veprave të të cilëve përkulemi gjithmonë.
Gjilani është shtrirje e Karadakut, Gollakut e Moravës. Nuk jemi të plotë pa të drejtat e bashkëpatriotëve në Moravën e Poshtme deri në Ristovc dhe në pjesën tjetër deri në fshatin Bugarin. Sa shumë dashni i kanë dhënë këtij vendi. E di që nuk e dini ku janë dhe pse po i përmendim!
Kur jemi në prag të 17-vjetorit kësaj feste të madhe, Kosova më ka bërë nder si negociator për statusin e Kosovës për pavarësi dhe Gjilani e Anamorava e gjithë vendi më bënë deputet nënshkrues të kësaj dite të bardhë, ku proceset e shkaktuara u bënë ëndërr e realizuar. Këtë nder do ta ruajë si të shenjtë tërë jetën!