Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i ka dërguar një letër Kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
Përmes kësaj letre, Qeveria e Kosovës ka kërkuar hapa konkretë për të detyruar Serbinë të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat shtetërore të saj, përfshirë ato ushtarake, policore dhe të inteligjencës, shkruan Reporteri.net.
“Serbia supozohet të fshehë informacione kritike për të paktën 11 varreza massive brenda territorit të saj. Lejimi i aksesit të plotë në këto materiale do të zbulonte rrethanat e vrasjeve dhe transferimin e trupave të shqiptarëve të Kosovës të zhdukur me forcë, duke ndihmuar drejtpërdrejtë në zbardhjen e fatit të qytetarëve të Kosovës ende të zhdukur dhe duke ofruar ngushëllim për familjet që kërkojnë përgjigje”, thuhet në letër.
Në këtë letër thuhet se Kosova mbetet e palëkundur në bindjen se paqja e qëndrueshme mund të arritur vetëm përmes një procesi të plotë, transparent dhe të përgjegjshëm që nderon viktimat dhe se BE’ja ka rol kyç për të siguruar që këto përpjekje të mos dështojnë.
“Ndërsa i afrohemi 26-vjetorit të këtyre krimeve, ju bëj thirrje të ndërmerrni hapa vendimtarë duke kërkuar: 1.Hapjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të arkivave ushtarake, policore dhe të inteligjencës së Serbisë, përfshirë dosjet e klasifikuara që lidhen me krimet e luftës dhe zhdukjet me dhunë.
2.Bashkëpunim të plotë nga autoritetet serbe, duke përfshirë lehtësimin e hetimeve mbi rolin e grupeve paramilitare dhe bashkëpunëtorëve lokalë serbë në zhdukjet e detyruara.
3.Masa konkrete për të mbajtur Serbinë përgjegjëse për refuzimin e saj të vazhdueshëm për të ofruar informacion mbi vendndodhjen e personave të zhdukur dhe lokacionet e varrezave massive të pazbuluara”, janë kërkesat që janë shtruar në këtë letër.
Në fund të letrës, Hoti ka shprehur besimin se nën udhëheqjen e Kallas, mund të sigurojnë që zëri i familjeve të të zhdukurve të dëgjohet dhe që “Serbia të detyrohet të përmbushë detyrimet e saj morale dhe ligjore”.
Postimi i tij është shpërndarë nga Kryeministri Albin Kurti.