Platforma e digjitalizuar “e-Kosova” për shërbime për qytetarët dhe bizenese tanimë do të jetë edhe si aplikacion edhe për sistemet operative “iOS” dhe “Android”.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“e-Kosova tani edhe si aplikacion mobil për iOS dhe Android.
Me më shumë se 1 milion përdorues të regjistruar dhe mbi 220 shërbime elektronike të zhvilluara, eKosova është dritarja jonë digjitale për qytetarët dhe bizneset.
Certifikatat e gjendjes civile, certifikatat e pronës dhe kopjet e planit, obligimet e tatimit në pronë e gjobat në trafik, vazhdimi i regjistrimit të veturës, certifikata për historinë penale, aplikimet për shtesa, benefite, grante e subvencione, pagesat elektronike, e së fundmi edhe raporti kreditor – të gjitha këto shërbime dhe shumë të tjera tani janë në dispozicion online në e-Kosova, më lehtë se kurrë më parë”, ka thënë Kurti.