Banorë të shumtë, prej tyre edhe fëmijë të fshatit Bresalc të komunës së Gjilanit janë infektuar si pasojë e përhapjes së disa insekteve (pleshtave) në fshat. Banorët dyshojnë se fajin për këtë e ka një fermë afër.
Edhe në shkollën e fshatit, “Ibrahim Oruçi”, shumë fëmijë kanë të njëjtat simptoma.
Në drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Gjilanit thonë se asnjëherë më parë nuk ka pasur probleme me këtë fermë, por megjithatë pronarët e saj janë këshilluar t’i marrin masat e nevojshme.
Ndërsa, pronari i fermës së dhive, Avni Syla, nuk ka dashur të prononcohet para kamerës, por ka shprehur keqardhje për ngjarjen.
Ai thotë se e mirëmban fermën dhe se kjo është hera e parë që i ndodh një gjë e tillë.
Në Komunë kanë thënë se do të nisin me dezinfektim hapësinor.