Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka nisur të hënën, edhe një herë tjetër nga fillimi, procedurat për renovimin e Stadiumit të Qytetit në Gjilan.
Projekti, i cili në letër ka nisur në vitin 2017 por është bllokuar në procese tenderuese, parasheh që stadiumi i ri në Gjilan të bëhet i gatshëm për ndeshje evropiane.
Vlera e paraparë e kontratës është 15 milionë euro.
Menaxhimi i deritashëm i procesit të tenderimit për këtë projekt sugjeron se ndeshjet evropiane mund të jenë ende larg Gjilanit. Ato nuk do të mund të luhen nën dritat e reflektorëve të stadiumit të ri së paku deri në vitin 2027, edhe sikur procedura tenderuese të kryhet brenda afateve që parasheh prokurimi publik.
Ministria e Kulturës ka nisur të hënën zyrtarisht procedurën për përzgjedhjen e operatorëve ekonomik për renovimin e stadiumit, raporton Paparaci.
Në një njoftim paraprak të publikuar në uebfaqen e-prokurimi, MKRS-ja ka treguar se fillimi i procedurës do të bëhet të enjten e 4 marsit.
Ky njoftim, në prokurimin publik përdoret si ndihmesë në transparencë dhe është në të mirë të operatorëve ekonomik që të përgatiten për dorëzim të ofertave.
Disa muaj më parë, një procedurë e kaluar tenderuese për renovimin e stadiumit të Gjilanit e hapur nga MKRS-ja u anulua që në fillim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Dosja e Tenderit e përgatitur nga Ministria u vlerësua diskriminuese për operatorët ekonomik.
Kjo nuk ishte hera e parë që procedura po anulohej.
Në tri vitet e fundit, tenderi ka dështuar të jepej nga Komuna e Gjilanit – e cila fillimisht e kishte marrë përgjegjësinë për zhvillimin e projektit – për shkak të vendimeve të OShP-së dhe dyshimeve të ngritura për favorizimin e një konsorciumi për tenderin.
Në shtator të vitit 2023, pothuajse dy vite e gjysmë më parë, ministri Hajrulla Çeku, shkruante se stadiumi në Gjilan “po bëhet”
“Projekti përfundimtar i Stadiumit të Gjilanit, i cili mungonte, tash është hartuar dhe është i gatshëm për zbatim ndërsa buxheti i nevojshëm për financimin e zbatimit veçse është siguruar. Në marrëveshjen e sotme me kryetarin Alban Hyseni zotuam 15 milionë euro për ndërtimin e stadiumit. Procedurat e nevojshme për zbatimin e projektit do të fillojnë menjëherë dhe punimet në tërësi do të nisin sa më parë”, shkruante ministri Çeku asokohe.
Qindra miliona euro janë investuar në infrastrukturën sportive në Kosovë në dy dekadat e fundit. Por, ajo vazhdon të jetë larg gjendjes së duhur. Kosova aktualisht nuk e ka asnjë stadium të gatshëm për ndeshje evropiane jashtë Prishtinës.