Ambasada Austriake në Prishtinë ka njoftuar se, që nga 1 marsi 2025, patentë-shoferët e Kosovës të të gjitha kategorive do të jenë të barabartë me patentë-shoferët austriakë.
Ky vendim është rezultat i ndryshimit të rregullores përkatëse dhe do të lehtësojë procedurat për konvertimin e patentë-shoferëve kosovarë në Austri.
Sipas njoftimit të ambasadës, “Patentë-shoferët kosovarë u njohën në Austri më 1 shtator 2023, me miratimin e marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së Transportit në nenin 23 të Ligjit për Patentë Shoferët (FSG).”
Kjo njohje paraprake i dha mundësinë mbajtësve të patentë-shoferëve kosovarë të drejtojnë automjete në Austri përkohësisht, por për ata që qëndronin mbi 6 muaj në vend ose vendosnin banimin e përhershëm, ishte e detyrueshme konvertimi i patentës, duke kaluar një provim praktik të vozitjes.
“Me ndryshimin e rregullores nga 1 marsi 2025, patentë-shoferët e Kosovës të të gjitha kategorive do të jenë të barabartë me patentë-shoferët austriakë. Kjo do të thotë se patentë-shoferët kosovarë, që nga ky moment, mund të konvertohen në Austri pa pasur nevojë për një provim praktik të vozitjes, nëse qëndrojnë mbi 6 muaj në Austri ose vendosin qëndrimin e përhershëm në Austri”, thuhet në njoftim.
Ky hap është i rëndësishëm për ata që posedojnë një patentë kosovare dhe synojnë të jetojnë dhe punojnë në Austri, pasi do të lehtësojë dhe përshpejtojë procedurat e konvertimit të patentës.
Sipas ambasadës, ky ndryshim është një kërkesë e rëndësishme dhe konkrete e ekonomisë dhe një lehtësim për të gjithë ata që posedojnë një patentë-shofer kosovar.