Në emër të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Zyra e Kryeministrit i është drejtuar sot Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kërkuar që Prokuroria Speciale të intervistojë Kryeministrin në ambientet e Zyrës së Kryeministrit, në lidhje me çështjen e rezervave shtetërore.
Zyra e Kryeministrit theksoi se Kryeministri ka shprehur gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të dhënë dëshminë e tij, duke propozuar intervistimin në zyrat e tij, një praktikë që është ndjekur edhe në raste të ngjashme në të kaluarën.
“Në përgjigjen e sotme, krahas arsyeshmërisë së pozicionit të Kryeministrit, Zyra e Kryeministrit thekson edhe një herë që Kryeministri ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij. Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkohet nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në përgjigje të Zyrës së Kryeministrit për Gjykatën Themelore.
Në reagimin e saj, Zyra e Kryeministrit thekson se Kryeministri nuk ka refuzuar të japë dëshminë e tij dhe se ai mbetet i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë.
Njoftimin e ka publikuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka përsëritur se kanë propozuar që intervistimi të zhvillohet në ambientet e Zyrës së Kryeministrit.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Prokuroria nuk është përgjigjur në asnjë nga propozimet e bëra dhe nuk ka dhënë arsye pse e ka të pamundur të kryejë intervistimin në vendin dhe datat e propozuara.
Në këtë drejtim, është kërkuar nga Gjykata që të detyrojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e Kryeministrit në ambientet e tij zyrtare.
Zyra e Kryeministrit gjithashtu ka ngritur shqetësime mbi mënyrën se si po trajtohet kjo çështje, duke e cilësuar qasjen e Prokurorisë si të pakoordinuar dhe të paargumentuar ligjërisht. Në deklaratën e saj, Zyra e Kryeministrit thekson se Kryeministri ka respektuar gjithmonë parimet e transparencës dhe llogaridhënies dhe se kjo kërkesë nuk duhet të interpretohet si shmangie nga drejtësia.
Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesën dhe të vendosë mbi hapat e mëtejshëm në këtë proces.
Njoftimi i plotë:
Në emër të Kryeministrit Kurti, Zyra e Kryeministrit sot i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me njoftimin e Gjykatës mbi dëshminë e kërkuar nga Kryeministri për çështjen e rezervave shtetërore.
Ndër të tjera, aty bëhet e qartë që Kryeministri i Republikës së Kosovës kurrë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij në lidhje me çështjen në fjalë. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke propozuar që intervistimi të zhvillohet në zyrat e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë në raste të ngjashme në Kosovë e edhe më gjerë. Megjithatë Prokuroria nuk është përgjigjur në asnjë propozim të Zyrës së Kryeministrit, rrjedhimisht nuk ka dhënë asnjë arsye pse e ka të pamundur të intervistojë Kryeministrin në datat dhe ambientin e propozuar. Kjo tregon një mungesë të qartë të vullnetit për të mundësuar një dëshmi që, sipas pretendimeve të Prokurorisë, është e domosdoshme për të kryer hetimet në çështjen në fjalë./betimiperdrejtersine/