Gjilan, 20 qershor 2018 – Ka nisur sot asfaltimi i rrugës hyrëse dhe dalëse me katër korsi, Gjilan-Livoç i Ulët, e cila ka gjatësi prej mbi 3 kilometrash dhe gjerësi prej 20 metrave.
Gjatë vizitës në terren, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur i lumtur që po realizohet një projekt kapital.
“Jam shumë i lumtur që sot filluam këtë projekt kaq të rëndësishëm në vlerë prej 2 milionë eurove. Zgjerimi i rrugës do të shkoj deri në qendër të qytetit, tek semaforët, e që realisht e integron në zonën urbane Livoçin e Ulët. Rruga po bëhet sipas standardeve, me zonën e gjelbër, infrastrukturën përcjellëse nëntokësore dhe ndriçimin publik. E falënderoj ish-ministrin Zharku dhe ish- qeverinë e Isa Mustafa për përkushtimin në realizimin e këtij projekti dhe qeverinë aktuale për kontinuitetin”, tha kryetari Haziri.
Haziri ka bërë të ditur se së shpejti do të filloj edhe ndërtimi i rrugës tjetër hyrëse dhe dalëse Gjilan-Prishtinë në gjatësi prej 3 kilometrave, i cili që fillon nga tuneli e deri në fshatin Livoç të Epërm.