Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nga Gjilani ka folur në lidhje me ftesën për intervistim nga ana e Prokurorisë, duke thënë se e mirëpret atë në Zyrën e Kryeministrit.
Ai është shprehur se ky intervistim ka mundur të kryhej qysh në dhjetor dhe tha se nëse prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme këtë dëshmi, siç u shpreh, do të shkonte tek ai.
“Unë e mirëpres Prokurorinë e Shtetit në Zyrën e Kryeministrit, ka pasur raste edhe në të kaluarën kur prokurorët, hetuesit kanë ardhur për kryeministra, madje jo vetëm si dëshmitarë, por edhe si të pandehur, prandaj nuk ka asnjë arsye që kjo të mos zbatohet”
“Pra, qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime, nëse prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë time, ajo do të vinte tek ne. Një prokuror që e ka synim kryesor dëshminë e dëshmitarit, ai nuk humb kohë”, u shpreh Kurti.
Ai gjithashtu tha se Prokuroria e Shtetit nuk ka qenë më e lirë për të vepruar dhe u sh[reh se luftimi i krimit dhe korrupsionit në Kosovë është tejet i rëndësishëm.
“Kurrë Prokuroria e Shtetit në Kosovë nuk ka qenë më e lirë për të vepruar, fatkeqësisht lirinë po e përdor, po e keqpëdor për ta luftuar qeverinë dhe jo krimin e korrupsionin. Unë e riktheksoi që gjithmonë kam qenë dhe jam edhe i gatshëm edhe i interesuar që të dëshmojë”.
“Luftimi i krimit dhe korrupsionit në Kosovë është tejet i rëndësishëm, mirëpo vetëm vëreni me kujdes se çfarë rastesh prioritizohen, ka vite të tëra që denoncimet tona nuk trajtohen”.
“Kur e kemi marrë detyrën në mars të vitit 2021, për një vit e pesë muaj, deri në gushtin e vitit 2022, ministrat e qeverisë që udhëheqë unë, i kanë dërguar 247 kërkesa për hetime ose kallzime penale, asnjëra prej tyre nuk ka prodhuar hetim me aktakuzë”, u shpreh tutje Kurti./Klankosova.tv.