Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së ka përkujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri.
“27 vjet më parë, Kosova përjetoi momentet më të rënda të historisë së saj më të re. Pikërisht më 5 mars të vitit 1998, forcat policore serbe rrethuan familjen Jashari. Qëndresa e tyre përballë këtyre forcave serbe ishte e pakapërcyeshme, e papërsëritshme. Ajo i dëshmoi botës vendosmërinë e palëkundur të popullit të Kosovës për çlirim!”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Abdixhiku ka thënë se sakrifica e familjes Jashari, të prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, është vetë themeli i lirisë së Kosovës.
“Sakrifica e familjes Jashari, të prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, është vetë themeli i lirisë të Kosovës prandaj dhe nuk mund të përshkruhet vetëm me fjalë. Ata u bënë heronjtë tanë, të cilët jo vetëm që luftuan për lirinë e atdheut, por dhanë jetën për të krijuar një të ardhme më të mirë për brezat që do të vinin. Vlera e sakrificës së familjes Jashari është e papërsëritshme, unikate, dhe e tillë do të mbetet, e përjetshme në historinë e Kosovës dhe të popullit shqiptar”, shkroi kreu i LDK-së.