Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, edhe pse e thotë të kundërtën, ka kohë që e përzien politikën me sportin.
Kështu sot, i lumtur që Liberia “kishte tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës deri sa të vazhdojnë bisedimet Beograd – Prishtinë”, ai ka folur edhe për Kampionatin Botëror Rusia 2018, njofton portali serb sport zhurnal, transmeton Koha.net.
Duke përmendur ndeshjen e ardhshme ndërmjet Zvicrës e Serbisë, ai ka thënë se në fakt “nuk e di nëse Serbia do të luajë futboll kundër kombëtares së Zvicrës, kombëtares së Shqipërisë apo përfaqësues së Kosovës”.
“Tani gjëja kryesore është nëse vërtetë luajmë kundër reprezentacionit të Zvicër, Shqipërisë apo Kosovës. Ka komente të ndryshme lidhur me marrëdhëniet e serbëve e shqiptarëve para ndeshjes. Shpresoj dhe dëshiroj që të arrijmë rezultat sa më të mirë”, ka thënë ai duke folur për ndeshjen Zvicër – Serbi që do të luhet më 22 qershor në Kalingrad.
Për Zvicrën në Botëror luajnë katër futbollistë shqiptarë.
Para kësaj ndeshjeje, njoftohet se sigurimi rus ka lutur Federatën zvicerane të futbollit që të ndalë simpatizuesit të jenë të pajisur me flamuj të Kosovës e të Shqipërisë, transmeton Koha.net.
Daçiq ka thënë po ashtu se është gëzuar shumë për fitoren e Serbisë kundër Kostarikës.
“Ka qenë fitore shumë e ëmbël. Kostarika ka qenë vendi parë që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ç’lidhje ka ky shtet me Kosovën? Nuk e di as ku gjendet. Dikush i ka thënë dhe e kanë njohur. Fitorja e ndaj Kostarikës ka qenë një shans i vogël – një hakmarrje e ëmbël”, ka thënë Daçiq.
Serbia s’e di a do të luajë futboll kundër Zvicrës, Shqipërisë apo Kosovës
Ndani këtë artikull