Pas dorëheqjes së drejtoreshës së Buxhetit dhe Financave në Komunën e Gjilanit, Herolinda Murati-Leka, e cila denoncoi ndërhyrje të paautorizuara në zyrën e saj, Prokuroria Themelore në Gjilan ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprime hetimore mbi këtë rast.
Në një përgjigje për ‘Radio Star’, Prokuroria ka konfirmuar se ka dhënë dritën e gjelbër për nisjen e hetimeve, duke e trajtuar çështjen si një rast serioz që kërkon veprime ligjore. Incidenti ka ngritur shqetësime për sigurinë institucionale dhe integritetin e menaxhimit të financave publike në komunë.
Ndërkohë, opozita ka akuzuar qeverisjen lokale për keqmenaxhim dhe mungesë të transparencës, duke kërkuar që ky rast të zbardhet sa më shpejt nga organet kompetente.