Kryeministri i Kosovës ka thënë se me demonstrata e vitit 1981 filloi një seri goditjesh tronditëse për Serbinë.
Ai ka thënë qytetarët atë ditë po protestonin kundër shtypjes dhe diskriminimit.
“44 vite më parë, nga Prishtina filloi një seri goditjesh tronditëse për Serbinë dhe tërë Jugosllavinë, kur më 11 mars 1981, studentët e Universitetit të Prishtinës u ngritën në një demonstratë masive, vetëm një javë pasi ishin revoltuar në mensën e studentëve më 4 mars. Ata po protestonin kundër shtypjes dhe diskriminit, mohimit e kufizimit të të drejtave, si dhe kundër shfrytëzimit dhe pabarazive që shteti i Jugosllavisë po ua bënte shqiptarëve në tërë federatën jugosllave por veçanërisht në Kosovë. Demonstrata e asaj të mërkure, e datës 11 mars 1981, u shtyp dhunshëm nga policia jugosllave, por fryma e indinjatës dhe e rebelimit të studentëve u kthye në inspirim për një rezistencë gjithëpopullore”, ka shkruar Kurti.
Ai ka përmendur edhe demonstratat e tjera të organizuara edhe më 26 mars, pastaj më 1 dhe 2 prill, që protestat studentore i kthyen në demonstrata gjithëpopullore.
“Ato u shtypën me dhunë nga policia, kurse në muajt dhe vitet pasuese, autoritetet jugosllave bënë mijëra arrestime arbitrare, gjyqe dhe burgosje politike, duke e bërë Kosovën vendin me numrin më të madh të të burgosurve politikë për kokë banori në gjithë Evropën”, ka shkruar Kurti.
“Në demonstratat e vitit 1981, u shfaq parulla “Kosova Republikë”, e cila vazhdoi të shkruhej gjatë tërë asaj dekade, herë e plotë e herë si një akronim me dy shkronja “KR”. Shumë organizata politike ilegale fituan forcë nga demonstratat e vitit 1981 dhe nga trashëgimia e tyre, duke e mbajtur të gjallë shpirtin e revoltës popullore dhe të rezistencës për një Kosovë të lirë. Brezi i demonstruesve dhe aktivistëve të vitit 1981, ishin shtyllë e grupeve themeltare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e drejtë në dekadën pasuese, e çliruan Kosovën në qershor të vitit 1999. Kështu, parulla popullore “Kosova Republikë”, u bë Deklaratë Kushtetuese më 2 korrik 1990 dhe Kushtetutë e Kaçanikut më 7 shtator 1990 drejt realitetit politik të shpallur më 17 shkurt 2008, në formacionin politik e juridik të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur”.
Kurti në 44 vjetorin e demonstratës së 11 marsit 1981, ka bërë thirrje për kujtim e mirënjohje të thellë dhe me nderim e respekt, studentët dëshmorë, organizatorët, të plagosurit e të burgosurit, si dhe të gjithë pjesëmarrësit e asaj lëvizje që e mbajti aktive rezistencën e popullit të Kosovës drejt aspiratës së tij për liri dhe shtetndërtim.