Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Sipas hetimeve të deritanishme, polici dyshohet se ka përdorur revolen zyrtare me municion privat jashtë detyrës zyrtare në një fshat të Gjilanit.
IPK ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë për të ndriçuar të gjitha rrethanat e rastit.
Komunikata e plotë:
Komunikatë për media
IPK rekomandon suspendimin për një zyrtar policor të dyshuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm
Prishtinë/Gjilan , 11 mars 2025
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për një zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës respektivisht stacionit policor të Veriut me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Ky rekomandim është bërë në përputhje me parimet ligjore dhe transparencës, duke marrë parasysh rëndësinë e ruajtjes së standardeve profesionale në Policinë e Kosovës.
Bazuar në veprimet hetimore të ndërmarra deri tani nga hetuesit e IPK-së, dyshohet se zyrtari policor jashtë detyrës zyrtare ka përdorur revolen zyrtare (me municion privat – jo zyrtar) në një fshat të Gjilanit.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.
Me respekt;
Divizioni për bashkëpunim dhe informim
Inspektorati Policor i Kosovës