Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan ka ngritur sërish akuza ndaj kryetarit të komunës, Alban Hyseni, duke e akuzuar për punësime të paligjshme dhe ndarje të granteve për miqtë e tij.
Sipas PDK-së, njëri nga përfituesit kryesorë është Taulant Maliqi, i cili fillimisht është punësuar në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, për të përfituar më pas mijëra euro nga buxheti komunal për hapjen e biznesit të tij.
PDK thotë se shkeljet e Hysenit kanë kaluar shifra milionëshe dhe se organet e hetuesisë po heshtin përballë këtyre keqpërdorimeve.
Komunikata e plotë:
Një shok i Alban Hysenit po i kushton dhjetëra mijëra euro buxhetit të komunës së Gjilanit
Keqpërdorime të papara po ndodhin me buxhetin e qytetarëve të Gjilanit nga ana e kryetarit të komunës Alban Hyseni, i cili nuk ka të ndalur me punësimet e familjarëve dhe miqëve të tij, si dhe me ndarjen e dhjetëra mijëra euro përmes granteve që po ua jep shokëve të tij.
Për këto dukuri rrënuese që janë bërë normale për kryetarin e komunës së Gjilanit, Partia Demokratike e Kosovës disa herë i ka paraqitur faktet në publik për të parandaluar që edhe më tutje vazhdojë ky keqpërdorim i buxhetit komunal. Mirëpo i pari i Gjilanit vetëm sa po e rritë dozën e keqpërdorimeve të buxhetit, falë heshtjes së plotë të hetuesisë.
Taulant Maliqi është njëri nga shokët e kryetarit të Gjilanit, i cili në vitin 2023 jashtëligjshëm është punësuar përmes kontratave në vepër në Drejtorinë e Shërbimeve Publike.
Në vitin 2024 kryetari i Gjilanit i jep mijëra euro grant Taulant Maliqit nga buxheti i komunës për hapjen e biznesit tij.
Në vitin 2025 kryetari i komunës e viziton dhe e promovon grantin që ia ka dhënë shokut të tij.
Dyshohet dhe ka mjaft fakte se Taulant Maliqi është përfitues edhe përmes projekteve tjera që komuna e Gjilanit i jepë përmes tenderëve për hartimin dhe mbikqyrjen e projekteve milionëshe.
Vetëm për punësime të paligjshme të familjarëve, miqve të kryetarit dhe aktivistëve të VV-së, bashkë me grantet e dhëna në emër të bizneseve për shokë të tij, janë keqpëdorur nga kryetari i Gjilanit mbi 1.5 milion euro nga taksat dhe tatimet në pronë që i paguajnë qytetarët e tanë.
Në muajt e fundit të qeverisjes komunale, Alban Hysenit po i shtohen shokët përfitues, por e mira e kësaj është që qytetarët e Gjilanit po e braktisin çdo ditë e më shumë këtë kryetar keqpërdorues dhe dështues në çdo aspekt zhvillimor të komunës.