Matematika, shkenca dhe leximi janë tri nga disa pikat ku sistemi arsimor në Kosovë duhet të përmirësohet. Kjo sipas konferencës “Ndikimi i PISA-s në informimin e politikave arsimore në Kosovë”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se përgatitjet për testin PISA po bëhen tash e një vit, ndërkaq shtoi se rezultatet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) kanë kritika për mësimdhënien vendore.
“Të dhënat e PISA tregojnë se shumë mësimdhënës për fat të keq, po flas në përgjithësi, jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në rezultate e OECD-së tregojnë se mësimdhënësit kanë dështuar në ofrimin e mësimdhënies adekuate për nxënësit dhe 35 për qind e nxënësve kanë raportuar se mësimdhënësit nuk kanë treguar interes për të mësuarit e secilin nxënës dhe në rastet më të shpeshta ata që nuk arrijnë të marrin mbështetjen e nevojshme të duhur nga mësimdhënësit, dhe janë pikërisht ata që kanë më së shumit nevojë. Kjo mesatare është përafërsisht në të gjitha vendet e OECD-së”, ka thënë ajo.
Kurse Fatmir Elezaj, drejtor i Qendrës për Standarde dhe Vlerësim në MASHTI, tha se testi i PISA-s sivjet do të zhvillohet online, teksa do të ketë përfshirje edhe të pjesës digjitale.
“Një fushë e re që do të jetë këtë vit është të mësuarit në botën digjitale. Nxënësit do të përzgjidhen nxënës nga klasa e shtata e më lartë, të lindur në vitin 2009. Në total do të zgjedhjen 7,500 nxënës, për të përfaqësuar vendin minimumi 6,400 nxënës që duhet të marrin pjesë. Janë gjashtë shkolla serbe që janë përzgjedhur”, ka thënë ai.
Testi PISA 2025 pritet të mbahet mes 17 marsit dhe 9 majit.