Qeveria e Kosovës ka pranuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë pre e mashtrimit të komedianëve rusë.
Ata kanë thënë se kanë mashtruar Kurtin që mendonte se po fliste me presidentin e Letonisë.
Në një reagim të Qeverisë, thuhet se ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, në një periudhë kur Kurti sipas tyre po pranonte mesazhe të shumta urimi pas fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po merrte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kufizimeve kohore, nuk ishte gjithmonë e mundur të kryhej verifikimi i plotë i çdo telefonate”, thuhet në reagim.
Qeveria duke shpreh keqardhje, ka thënë se kjo rikonfirmon qëndrimin parimor të kryeministrit për çështje kyçe qoftë në biseda publike apo private.
“Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon të synojë vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Ndërsa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u vu në shënjestër të një thirrjeje shakaje, ky episod rikonfirmon qëndrimin parimor dhe konsistent të kryeministrit
Kurti për çështjet kyçe, qoftë në biseda publike apo private”, thuhet në reagim.
Komedianët e famshëm rusë, “Vovan & Lexus” kanë publikuar të martën një video me kryeministrin Albin Kurti, për të cilin thonë se ka rënë pre e mashtrimit të tyre. Sipas shkrimit të publikuar, komedianët i janë prezantuar Kurtit si president letonez.