Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka përkujtuar 9 prillin e vitit 1999, datën kur nisi Beteja e lavdishme e Koshares – një ndër momentet më të rëndësishme dhe më të ashpra të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër regjimit serb.
Në këtë përvjetor, ai ka nderuar figurën e heroit Agim Ramadani dhe sakrificën e të gjithë luftëtarëve që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Statusi i plotë:
Më 9 prill 1999 nisi Beteja e Koshares, një nga momentet më të lavdishme të historisë sonë të re dhe ndër përballjet më të ashpra të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër regjimit serb.
Në këtë betejë të lavdishme u dallua komandanti dhe strategu Agim Ramadani, emri i të cilit mbetet përjetësisht i gdhendur në kujtesën tonë kombëtare. Me guxim, vizion dhe sakrificë, ai udhëhoqi forcat çlirimtare drejt thyerjes së kufirit, duke shënuar një kthesë historike në luftën për liri.
Gjilani krenohet me bijtë e vet që dhanë gjithçka për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Lavdi të rënëve për liri! Nderim i përjetshëm për heroin Agim Ramadani dhe të gjithë luftëtarët e Koshares!