Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se ka hyrë në fuqi Marrëveshja për njohjen reciproke të patentë shoferëve mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas MPJ-së, njoftimi u bë nga ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe, dërguar në Ambasadën e Kosovës në Abu Dhabi.
“Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që të konvertojnë patentë shoferët e tyre pa pasur nevojë t’iu nënshtrohen provimeve teorike apo praktike në vendin pritës. Ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të lëvizjes dhe integrimit të qytetarëve të të dyja vendeve”.
“Ky zhvillim është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve përkatëse të të dyja shteteve dhe dëshmon për përkushtimin e ndërsjellë në forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale”, thuhet në njoftim.
Më tej, MPJ-ja tha se shpreh konsideratën më të lartë për autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe për bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm dhe konstruktiv.