Venhar Salihu, kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan, ka bërë të ditur se në tremujorin e parë të vitit 2025 kanë përfunduar 2 mijë e 15 lëndë nga 1 mijë e 454 sa i kishin, dhe se kanë pasur 139% shkallë të efikasitetit.
Sipas tij edhe në këtë tremujor, gjyqtarët nga qendra janë angazhuar edhe në degën e Vitisë, Kamenicës dhe Novobërdë. Tha se lëndë civile kanë pranuar shumë më pak se në muajt paraprak, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sa i përket zbatimit të planeve strategjike, theksoi se konsiderojnë që janë shumë mirë, por gjithmonë ka vend për përmirësim.
“Nuk ka asnjë lëndë që është në pritje që është në kompetencë në Departamentin e Krimeve të Rënda, pra, rasteve të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe në të njëjtën kohë gjyqtarët që janë të angazhuar në këtë Departament gjykojnë edhe lëndë të Departamentit të Përgjithshëm në qendër edhe në degën e Vitisë”, u shpreh ai.
Lidhur me publikimin e vendimeve, tha se në ueb kanë publikuar 1 mijë e 253 vendime, por se nuk është i kënaqur me publikimin e seancave pasi janë publikuar pak. Sa i përket barazimit të lëndëve fizike me sistemin SMIL, tha se ende nuk kanë arritur t’i barazojnë por janë duke punuar në atë drejtim.
Raporti u miratua nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës./BetimipërDrejtësi/