Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se qëndrimi i tyre s’ka ndryshuar dhe se nuk do ta votojnë as sot Raportin për Verifikimin e mandateve të deputetëve. Ai ka kërkuar dorëheqjet së pari.
Ai ka thënë se nëse votojnë, do ta shkelnin Kushtetutën.
“Nuk mund të votojmë një shkelje të rëndë kushtetuese në ceremoninë e betimit të deputetëve. Është e palogjikshme, është jo demokratike, është jo kushtetuese. Qëndrimet e LDK’së jo vetëm që janë të menduara mirë, por edhe janë në frymë të mbrojtjes së demokracisë dhe kushtetuës”, ka deklaruar Abdixhiku para gazetarëve.
Ai ka thënë se VV’ja duhet të veprojë siç ka bërë LDK’ja në dy raste kur ka qenë në krye të Qeverisë, duke shtuar se ata kanë vepruar ashtu ndonëse s’ka pasur ligj.
“Prandaj deputetët e LDK’së s’mund të shkelin Kushtetutën. Nëse kjo kërkohet prej LDK’së, nuk do ta bëjmë asnjëherë. Unë i ftoj të mos bllokojnë, të bëjnë betimin institucional sic ka qenë e paraparë me Ligjin për Qeverinë 2022, siç ka bërë LDK’ja dy herë”, ka shtuar Abdixhiku.
“S’mund të jesh edhe ministër edhe deputet…Nuk po themi që Qeveria të mbetet pa Zot”, ka thënë ai.