Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për dështimin e konstituimit të Kuvendit.
Haradinaj ka thënë se “mënyra e zgjedhur e veprimit politik në emër të keqinterpretimit ligjor dhe kushtetues për konstituimin e Kuvendit nga partia fituese LVV është një kërcënim serioz për demokracinë e vendit tonë”.
Ai ka vlerësuar se me këtë qasje të VV-së po rrëshqasim drejt një grusht shteti.
“Me këtë qasje dhe veprime nga LVV si parti fituese, e në mungesë të numrave për krijimin e institucioneve, nga bllokadë institucionale në konstituimin e Kuvendit të Republikës sonë, siç duket po rrëshqasim edhe drejt një grushti shteti, përderisa individë të caktuar (të zgjedhur tashmë si deputetë të rinj), me pushtet të skaduar ligjërisht dhe sipas Kushtetutës, po vazhdojnë me qeverisjen e vendit dhe po nxjerrin vendime të paligjshme. Ngarkimi dhe ushtrimi i pushtetit pa mandat ligjor e kushtetues nuk mund të quhet ndryshe veçse një grusht shteti. Arsyetimet rreth vakumit institucional, përderisa shteti ka Zëvendëskryeministër, ministra dhe zëvendësministra për secilën ministri, janë të pabaza dhe nuk qëndrojnë aspak. Mjaft më me mashtrime, bllokime e izolim të vendit.”, ka shkruar ai.