Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Pratipattin, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit, Osmani tha se me Pratipattin folën për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë hapat tutje drejt konstituimit të legjislaturës së re dhe hapat e mëtejmë institucional në përputhje me Kushtetutën.
“Presidentja e njoftoi znj. Pratipatti për letrën e saj drejtuar deputetëve lidhur me hapat e ardhshëm për krijimin e institucioneve të reja, në funksion të garantimit të stabilitetit dhe funksionalitetit demokratik të shtetit”.
Në takim u theksua edhe rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë bilateral me SHBA-në. “Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri më i rëndësishëm strategjik i Republikës së Kosovës. Me këtë rast, u diskutua gjithashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, gjë që përfundimisht kontribuon edhe në forcimin e paqes e stabilitetit në rajon”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë, temë e diskutimit ishin edhe dy njohjet e reja nga Kenia dhe Sudani. “Presidentja Osmani dhe znj. Pratipatti riafirmuan përkushtimin e përbashkët për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, thuhet në fund të njoftimit.