Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e mediave lokale në Gjilan. Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm dhe rëndësinë e informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me zhvillimet në universitet.
Rektori Dërmaku falënderoi mediat për kontributin e tyre, duke i njoftuar gjithashtu për zhvillimet e fundit në UKZ, procesin e akreditimit, programet studimore, përmirësimin e infrastrukturës, bashkëpunimet me institucione vendore dhe ndërkombëtare, si dhe projektet që pritet të realizohen në të ardhmen. Ai theksoi se Universiteti Publik “Kadri Zeka” së shpejti do të profilizohet drejt teknologjisë, duke u përshtatur me kërkesat bashkëkohore të tregut të punës dhe zhvillimeve të reja në arsim.
Pas këtij takimi, përfaqësuesit e mediave kanë zhvilluar një takim të veçantë edhe me Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, i cili prezantoi më nga afër këtë fakultet dhe programin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studimet Evropiane, i cili është programi i vetëm i këtij profili në universitetet publike në Kosovë.
Dekani Daku foli për bashkëpunimet që Fakulteti i Shkencave Sociale ka me universitete rajonale që ofrojnë programe të ngjashme, për numrin e studentëve dhe stafin akademik të kualifikuar në këtë drejtim. Ai bëri të ditur se në të ardhmen synohet që studimi të orientohet drejt ofrimit të kujdesit psikologjik dhe social për sfidat që sjell zhvillimi i teknologjisë, me fokus të veçantë në inteligjencën artificiale dhe ndikimin e saj në shoqëri.
Po ashtu, Dekani prezantoi konceptin për laboratorin e Shkencave Sociale dhe planet për promovimin e ofertës akademike, duke theksuar synimin për të tërhequr sa më shumë studentë dhe profesorë ndërkombëtarë, për të ofruar mundësi praktike për studentët, për të angazhuar kuadro ndërkombëtare në këtë program, si dhe për të mundësuar mobilitet të stafit dhe studentëve në universitete partnere evropiane.
Prof. Asoc. Dr. Selim Daku ndër tjerash tha se Fakulteti i Shkencave Sociale po punon në përfshirjen në projekte ndërkombëtare dhe po orientohet drejt diplomacisë digjitale, në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe kërkesave bashkëkohore të edukimit.
Përfaqësuesit e mediave shprehën vlerësimin për gatishmërinë e Universitetit Publik “Kadri Zeka” për të mbajtur këtë komunikim të hapur dhe për të bashkëpunuar në funksion të informimit të qytetarëve.