Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur Kryeparlamentare, Albulena Haxhiun, ka dështuar të shtunën e 19 prillit. Kryesuesi i kësaj seance, Avni Dehari njoftoi se seanca do të vazhdojë sërish të hënën në ora 15:00.
Albulena Haxhiu në të dyja votimet mori 57 vota të deputetëve, nga 61 sa nevojiteshin, ndërsa 20 prej tyre ishin kundër dhe tre abstenuan, nga 115 deputetë që ishin në sallë.
Pas seancës, Haxhiu tha para gazetarëve se edhe të hënën emri i saj do të propozohet, ndërsa akuzoi partitë tjera politike që sipas saj po i mbajnë bllokuar institucionet e vendit.
“Së pari më lejoni të falenderoj 57 deputetë që më mbështetën që të jem kryetare e Kuvendit, duhen edhe 4 vota. Pra, nga të gjithë deputetët, 61 duhet të jenë për. Siç e kuptuat, seanca u peuzullua, brenda 48 orëve u thirr seanca e radhës, Kuvendi nuk kunstitohet pa u zgjedhë kryetari dhe nënkryetarët. Ne ishim gati të vazhdojmë me procedurat e mëtejme, mirëpo duket që opozita po e mban të bllokuar Kuvendin sepse nuk e mbështeten propozimin e VV-së. I përket VV-së ta bëjnë propozimin e radhës, do të jetë emri i njëjtë, faleminderit”, tha ajo të shtunën.
Për PDK-në, ora e themelimit të institucioneve të reja veçse ka nisur, dhe se janë të gatshëm t’i formojnë ato, nëse veç dështon LVV-ja.
Kjo parti ka njoftuar se ia njeh të drejtën partisë së parë që ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Megjithatë, PDK-ja ka thënë se përgjegjësia e parë i takon Vetëvendosjes për themelimin e institucioneve, por sipas saj, përgjegjësia s’është e përhershme te VV-ja.