Ramadan Nishori, i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka shprehur krenarinë e tij për ndikimin që ka pasur rrëfimi i tij publik, pasi që sipas fjalëve të tij, dy burra të tjerë që ishin përballur me dhunë gjatë luftës, kanë kërkuar ndihmë në shoqatën KCRT, raporton Gazeta Sinjali.
Nishori ka theksuar se ndihma që ata kanë kërkuar është shumë e rëndësishme për të dhe e ka vlerësuar mbështetjen e gjerë nga shoqëria kosovare.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar që pas rrëfimit tim, më 14 prill, dy burra (të dhunuar gjatë luftës), kanë ardhur në shoqatë (KCRT) dhe kanë kërkuar ndihmë. Kjo më bën të ndihem akoma më krenar për atë që kam dalë dhe kam rrëfyer. Jam shumë falënderues gjithë shoqërisë kosovare për mbështetjen që ma kanë dhanë. Vetëm ata dy që kanë dalë është shumë, shumë e rëndësishme për mua”, ka thënë Nishori në një intervistë për gazetarin Xhemajl Rexha.
Nishori ka shprehur gjithashtu ndjenjën e lumturisë kur ka arritur të ndajë historinë e tij me familjen, duke theksuar se ka kaluar shumë vuajtje, përfshirë tortura në burgje dhe eksperiencën traumatike të Masakrës së Dubravës.
Ai ka bërë apel për të gjithë ata që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës që të kërkojnë ndihmë profesionale, duke theksuar se kjo ka qenë një hap i rëndësishëm për të shpëtuar jetën e tij.