Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vitin 2025 Kosova do të ketë rritjen ekonomike më të shpejtën në Evropë.
Ai tha se rezultatet e punës së mirë 4-vjeçare mund të mos shihen menjëherë, por sipas tij, sigurisht që herët a vonë do të vërehen.
“Gjatë muajit të kaluar, kisha nderin që në Prishtinë të pres zv. Presidentin e Bankës Botërore Akihiko Nishio me rastin e tranzicionit të Kosovës në shtet donator në Bankën Botërore. Gjithashtu, kisha kënaqësinë të pres në takim edhe misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar të udhëhequr nga shefi i misionit z. David Amaglobelli, në përmbyllje të programit dy-vjeçar të reformave të dakorduara me FMN-në.
Në të dyja rastet, edhe Banka Botërore, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, e përgëzuan Kosovën për reformat e ndërmarra, për performancën e mirë ekonomike, dhe për maturinë fiskale. Rezultatet e punës së mirë 4-vjeçare mund të mos shihen menjëherë, por sigurisht që herët a vonë do të vërehen. A jemi aty ku e kemi potencialin? Natyrisht që jo. Ka shumë punë për t’u bërë. Por përkundër sfidave globale e pengesave vendore, do t’ia dalim. Vazhdojmë”, ka shkruar ai në Facebook.