Shkruan: Enver Sadiku
Kryendeshja ndërmjet dy ekipeve nga Gjilani, FC Drita dhe SC Gjilani po shkon gjithnjë e duke u zbehur. Që prej se u rrënuan shkallët e Stadiumit të Qytetit, kjo kryendeshje ka shkuar duke u zbehur, duke u luajtur sa jashtë Gjilani, sa pa shikues e më pas edhe në Stadiumin me bari sintetik, gjithnjë pa njërën nga tifozoritë dhe me numër të kufizuar shikuesve.
Dikur, pa marrë parasysh se në cilën pozitë ishin skuadrat, shkallët e stadiumit mbusheshin përplot e po aq shikues mbeteshin jashtë. Përplot ishte mbushur stadium edhe në kohët më të vështira për të dy ekipet, atëherë që të dyja garonin në Ligën e Parë. Për kryendeshjen bëheshin përgatitje me ditë të tëra, shpaloseshin lloj-lloj koreografish, gjithnjë tofozëritë i përgatitnin befasi njëra-tjetrës, kurse edhe pas kryendeshjes për të bisedohej e shkruhej me ditë të tëra. Sot kur në ekipet tona investohen miliona euro, për shikueshmëri do t’ia kishin lakmi edhe ndeshjeve që zhvilloheshin në livadhet e fshatit Malishevë në fusha të improvizuara.
Foto 1. Atmosferë nga kryendeshja e paraluftës
Sot, kur të dy ekipet kanë cilësi, kur ekipet nga Gjilani janë pjesëmarrëse në garat evropiane, kryendeshjen mezi që e përcjellin 200 shikues, gjë e cila është për keqardhje e ngase kryendeshja po shkon gjithnjë e duke u zbehur, entuziazmi i tifozërive po shuhet e gjeneratat po ndërrojnë, duke e harruar traditën e dikurshme.
Në bazë të asaj që po shihet e si po shkojnë punët, Stadiumi i qytetit në Gjilan për së paku edhe për tri vite nuk do të mund të jetë i gatshëm, por edhe kur të bëhet gati do të jetë shumë e vështirë të kthehet tradita, andaj duhet ndërmarrë diçka në këtë drejtim që të ruhet ky aset jo vetëm i Gjilanit, por i mbarë Kosovës.
Foto 2. Intelektualët në Stadiumin e Qytetit
Foto 3. Skifterat në Stadiumin e Qytetit
Foto 4. Kushtet në të cilat sot zhvillohet kryendeshja.
Sot, kur i bëhet një vizitë Stadiumit të Qytetit, ai duket i mjerë, punimet e deritashme ngjasojnë në gërmadhë, kurse në fushën e cila dikur ishte ndër më të mirat në ish-Jugosllavi, bari është rritur deri në gjunjë e me ardhjen e pranverës kanë nisur të lulëzojnë lulet të llojit me termin latin taraxacum.
Foto 5. Gjendja në të cilën ndodhet sot fusha e Stadiumit në Gjilan.
Duhet të ndërmerren hapa që kryendeshja të kthehet në Stadiumin e Qytetit, ngase futbolli pa tifozëri nuk e ka lezetin e vet. Ndërtime e rinovime të stadiumeve janë bërë e bëhen kudo nëpër Evropë, por rrallë ka ndodhur që stadiumet të mbyllen, andaj edhe në Stadiumin e Qytetit ka qenë dhe mbetet ende e mundur që fusha të mirëmbahet, të shfrytëzohen tribunat ekzistuese, të ndërtohen zhveshtore të përkohshme e pjesët në të cilat punohet të rrethohen e mbulohen. Stadiumi dikur edhe mund të bëhet, bile edhe më i madh se ai që është paraparë, por tradita e kryendeshjes do të humbet dhe vështirë se do të mund të rikthehet e për këtë shembulli më i mirë është numri i shikueseve që po mblidhen tashti në stadiumin ekzistues./kryelajmi.com/.