Pas fitores së madhe që kurorëzoi FC Dritën kampione të Kosovës për herë të katërt, drejtori sportiv i klubit, Valon Zymberi, nuk i përmbajti emocionet. I mbushur me lot gëzimi, Zymberi e përjetoi këtë sukses me thellësi, duke e cilësuar si shpërblimin më të madh për mundin dhe sakrificën e të gjithëve që qëndrojnë pas këtij klubi.
Në një deklaratë të ndjerë, ai theksoi se ky titull i dedikohet para së gjithash lojtarëve, të cilët kanë luftuar me zemër në çdo ndeshje, duke treguar karakter dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Po ashtu, ai falënderoi presidentët Flamur Bunjaku dhe Valon Murseli për vizionin dhe mbështetjen e palëkundur, si dhe të gjithë sportdashësit që kanë qëndruar pranë klubit në çdo hap.
Zymberi tregoi edhe një herë karakterin e tij të matur dhe profesionalizmin që e ka shoqëruar gjatë gjithë sezonit, duke vënë në plan të parë punën kolektive dhe përkushtimin e gjithë familjes bardhekaltër.
Ky triumf, sipas tij, është vetëm fillimi i një epoke të re për Dritën, që synon të vazhdojë të shkëlqejë si brenda Kosovës, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare./Radio Star/