Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka komentuar me rezervë letrën publike të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti drejtuar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.
Duke folur para gazetarëve, Haradinaj tha se nuk dëshiron të komentojë shumë mbi përmbajtjen e letrës, por shtoi se këto lëvizje politike duhej të ndodhnin shumë më herët.
“Praktika është se ai që fiton më shumë vota bën konsulta me partitë tjera për opsionet e ecjes përpara. Sikurse dihet ka edhe konsulta mes opozitës. Është dashur t’i bëjnë menjëherë pas zgjedhjeve, jo të presin të vijnë deri këtu”, u shpreh Haradinaj.
Ai theksoi se situata aktuale në vend është e rëndë dhe se fokusi po largohet nga çështje të tjera jetike për qytetarët.
“Është situatë e rëndë në Kosovë. Ne po harrojmë tash tema tjera, si rritja e çmimit të energjisë,” shtoi ai.
I pyetur nëse do të pranonte një takim me Kurtin në rast se do të ftohej, Haradinaj tha shkurt: “Për besë jam i zënë këto ditë me detyrë, siç e dini.”
Megjithatë, kreu i AAK-së ka konfirmuar se kanë nisur konsultime mes partive opozitare, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për zhbllokimin e Kuvendit.
“Unë jam i interesuar dhe kemi filluar nga pak edhe konsulta të reja mes partive opozitare që kjo çështja e komisionit të mos ngecë. Por zgjidhja është një kandidat unifikues, si fillim që Kurti do ta jepte një shenjë të mirë që e ka plan të ecë përpara,” tha Haradinaj.