Masat ndëshkuese ndaj Kosovës do të hiqen gradualisht.
Kjo u konfirmua në një përgjigje për mediat nga Komisioni Evropian.
Nga Zyra për Shtyp e KE-së, theksohet se po punohet drejt heqjes graduale, të kushtëzuar dhe të kthyeshme të masave.
Gjithashtu, konfirmohet se kësaj faze i ka paraprirë një shkëmbim qëndrimesh mes shteteve anëtare të BE-së gjatë takimit të ministrave të jashtëm në prill, shkruan RTK.
Siç merret vesh jozyrtarisht nisja e heqjes graduale, për momentin, është më shumë simbolike se sa substanciale.
Bashkimi Evropian ka zhbllokuar funksionimin e nënkomiteteve me Kosovën dhe ka rifilluar asistencën teknike nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Sipas disa burimeve diplomatike në Bruksel, ky është maksimumi që BE mund të ofrojë aktualisht, pasi për heqjen e plotë të masave kërkohet pajtimi unanim i të gjitha shteteve anëtare.
Për një konsensus të tillë, thuhet se nevojiten veprime të qarta të autoriteteve të Kosovës, në përputhje me konkluzionet e dhjetorit, ku u theksua se heqja e graduale e masave do të ndodhë paralelisht me hapat konkret të autoriteteve kosovare drejt uljes së tensioneve në veri të vendit.