Institucionet publike shëndetësore po përballen me autoambulanca të amortizuara, derisa në anën tjetër Qeveria vazhdon edhe më tutje të furnizohet me vetura luksoze, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Spitalet regjionale vazhdojnë të përballen me vështirësi të shumta për shkak të amortizimit të ambulancave, të cilat i bartin të sëmurët, derisa në anën tjetër punëtorët e institucioneve vazhdojnë të enden me vetura luksoze.
Rreth 1.8 milion banorë në Kosovë në institucionet shëndetësore kanë në dispozicion më pak se 100 autoambulanca.
Derisa rreth 7.2 milionë euro ishin ndarë për institucionet e vendit për marrjen në qira të mbi 300 veturave për shfrytëzim, në institucionet shëndetësore publike vitin e kaluar kishte 92 autoambulanca.
Ndërsa Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), sipas zëdhënësve për Informim, ka vetëm nëntë autoambulanca.
Këtë vit ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka dhuruar edhe dy autoambulanca, njërën në Qendrën Klinike Mjekësore Familjare në Janjevë të Lipjanit dhe njërën në atë të Reçanit në Prizren.
Po ashtu Ministria e Shëndetësisë ia ka dhuruar një autoambulancë edhe Klinikës së Neonatologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Por, as këto nuk po përmbushin nevojat e spitaleve.
Ish-ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani ka thënë për “Zërin” se spitalet kanë nevojë së paku edhe për 100 autoambulanca.