Mbi dhjetë mjekë gjilanas kanë konkurruar për specializim, por asnjëri prej tyre nuk është pranuar, gjë kjo që rrezikon që në të ardhmen Spitali Rajonal i Gjilanit të mbetet me mungesë të mjekëve specialistë.
Në konkursin që është shpallur muaj më parë ishin paraqitur edhe nevojat që ka Spitali Rajonal i Gjilanit, por çuditërisht specializimit i fituan mjekët nga komunat e tjera dhe kandidatët nga Gjilani u anashkaluan në tërësi, ndërkohë që tashmë është e ditur se mjekët specialistë të ardhshëm nga ky konkurs nuk do të përzgjedhin këtë spital të vazhduar punën, por do të vazhdojnë nëpër qytetet e tyre.
Spitali Rajonal i Gjilanit edhe ashtu është në mungesë të disa kuadrove, mosha mesatare e mjekëve specialistë është e lartë e mjekë specialistë ka gjithnjë e më pak, andaj e ardhmja në këtë aspekt aspak nuk duket premtuese.
Dr. Valdrina Musliu – Islami, Dr. Blerina Miftari – Maliqi. Dr. Liridona Kastrati, Dr. Leotrim Kurteshi, Dr. Arbër Jerliu, Dr. Dashnim Ajvazi, Dr. Laureat Jerliu, Dr. Rinor Canaj e Dr. Sevim Demiri ishin vetëm disa nga mjekët gjilanas nga konkursi i fundit, të cilëve iu mohua specializimi edhe pse shumica prej tyre janë mjekët që tashmë kanë bërë emër në Gjilan në profesionin e tyre dhe i plotësojnë të gjitha kushtet për të marrë specializimin. Ata janë shprehur të befasuar se si asnjëri prej tyre nuk fitoi në këtë konkurs, por në vend të tyre u morën kandiadatë nga komuna të tjera.
Gazeta online kryelajmi.com ka kontaktuar këta mjekë, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me konkursin e fundit specialistik, pasi që të gjithë aplikantët (mbi 10 aplikantë) nga komuna e Gjilanit që kanë aplikuar në Spitalin Rajonal Gjilan asnjëri prej tyre nuk ka arritur ta fitojnë të drejtën për specializim.
“Të gjitha vendet janë nxënë nga komunat e tjera dhe si përfundim Gjilani ka mbet pa asnjë specializant”, theksojnë ata dhe tashti nuk u ka mbetur rrugë tjetër veç se të ftojnë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit të reflektojnë mbi situatën që është krijuar me apo pa qëllim.
“Nga e gjithë kjo në të ardhmen e Spitali Rajonal Gjilan do të mbet pa specialistë të lëmive përkatëse, pasi që aplikantët nga komunat tjera që kanë përfituar specializimin nga SRGj. nuk do të jenë pjesë e po këtij institucioni!”, janë të bindur mjekët gjilanas, të cilët pohojnë se me këtë qasje dhe me këto veprime në pesëvjeçarin e ardhshëm jo që nuk presin shtimin e kapaciteteve, por përkundrazi mbylljen e disa reparteve.
Si është e mundur Gjilani të hendikepohet nga kjo padrejtësi? Ku është logjika nëse spitali ka nevojë për specialistë, andaj pse refuzohen kandidatët vendas? A është ky konkurs apo një lojë e manipuluar për të shpërndarë favorizimet? A janë kandidatët e Gjilanit më pak të kualifikuar apo thjeshtë kanë më pak “lidhje”?
Janë këto pyetje të cilat kërkojnë përgjigje, nga mjekët gjilanas, ngase specialistët e mjekësisë që do të duhej nesër t’i ktheheshin Spitalit rajonal të Gjilanit “u shpërndanë” për komunat e tjera. A vallë mos po ndodh krejt kjo ngase Gjilani nuk është në hartën e Ministrisë së Shëndetësisë, apo kandidatët e Gjilanit nuk e dorëzojnë CV në duart e duhura.
Dyshimi është edhe më i madh se e njëjta gjë dhe i njëjti skenar po ndodh në dy konkurset e kaluara e mjekët gjilanas që po presin me vite nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje për specializimet e dëshiruara.
Në raste të tilla, kur specialistët kërkohen për Spitalin Rajonal të Gjilanit, mbase përparësi do të duhej të kishin pikërisht mjekët nga ky rajon dhe të cilët do të mbeteshin në këtë spital e do të kontribuonin për shëndetin e kësaj popullate. /kryelajmi.com/.