Asamblisti i LDK-së, Latif Maliqi, ka ngritur shqetësime serioze rreth mënyrës se si Kryetari Alban Hyseni po e menaxhon procesin e “Buxhetimit me Pjesëmarrje”.
Sipas Maliqit, ky proces është shndërruar në një farsë politike, ku në vend të transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve, po përdoret si mjet për fushatë parazgjedhore, me përqindje minimale të realizimit të projekteve të premtuara ndër vite.
Ky është reagimi:
Ndalu, Kryetar, mos i mashtro më qytetarët!
Kryetari e ka filluar fushatën zgjedhore përmes disa organizimeve të quajtura “Buxhetim me pjesëmarrje”, duke i mbajtur këto takime me qytetarët. Por ai e di shumë mirë se kërkesat që paraqiten në këto tubime nuk do të realizohen në vitin fiskal 2025-2026, për shkak se jemi në prag të zgjedhjeve komunale.
Për tri vite rresht janë mbajtur këto tubime nëpër fshatra, e tash janë zhvendosur në lagjet e qytetit. Pyetja që shtrohet me të drejtë është: A janë realizuar këto kërkesa nga vitet e kaluara? A janë zbatuar projektet e kërkuara nga qytetarët gjatë tri viteve të fundit?
Këto tubime nuk mund të zëvendësojnë dëgjimet zyrtare për buxhetin. Dëgjimet buxhetore duhet të udhëhiqen nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, në bashkëpunim me Drejtorinë për Buxhet dhe Financa. Aty bëhet harmonizimi i kërkesave të qytetarëve, përcaktimi i prioriteteve dhe pastaj ato dërgohen për miratim në Kuvendin Komunal.
Në këto tubime të organizuara nga kryetari, përveç tij dhe disa drejtorëve, mungon përfaqësimi nga organet e Kuvendit. Kjo lë të kuptohet qartë se ky kryetar nuk e sheh Kuvendin si organ vendimmarrës, por vetëm si një mjet për viktimizim politik.
Në fund të mandatit të tij, po bëhet e qartë se kryetari nuk i trajton njësoj të gjithë qytetarët e komunës. Po të kishte vullnet, ai do të organizonte dëgjime publike në secilin lokalitet, ku qytetarët do të shprehnin drejtpërdrejt nevojat dhe problemet e tyre, sepse ata i përballojnë ato çdo ditë.
“Buxhetimi me pjesëmarrje” nuk është vetëm një mashtrim optik, por edhe një mashtrim i vërtetë ndaj qytetarëve, sidomos kur shohim përqindjen e vogël të projekteve që realisht realizohen nga ky proces. Nëse e analizojmë buxhetin komunal dhe shumën e ndarë për këto projekte, dyshimet tona vetëm sa forcohen: kjo është një fushatë e mirëfilltë parazgjedhore, me premtime të rreme.
Shumë shpejt qytetarët do ta kuptojnë këtë mashtrim dhe do ta përkthejnë në ndëshkim përmes votës. Prandaj, të them sinqerisht: ndalu, kryetar, mos i mashtro më qytetarët! Koha është e shkurtër dhe shumë shpejt do të dalim para qytetarëve. Ata janë gjykatësit më të mirë dhe do të japin vlerësimin që meriton.
Këshilltar Komunal
Latif Maliqi .