Drejtori ekzekutiv i qendrës Labyrinth, Safet Blakaj, vlerëson se substanca narkotike kokainë është bërë problematike në vendin tonë, pasi konsumi i saj ka shënuar rritje.
Sipas tij, disa e përdorin 20 gramë në javë dhe disa të tjerë edhe më tepër.
Blakaj tha po ashtu se tani ka hyrë në funksion krek kokaina, e cila duket që është më e lirë, por se në fakt është e njëjta gjë.
“Rrezikshmëria e përdorimit të krek kokainës është shumë më e madhe sesa e kokainës, për shkak se shkakton shpejtësinë e procesit të varshmërisë fizike te përdoruesit, e ka efektin e shkurtër 5-7 minuta dhe llogaritet se shpejtësia është më e shpejtë, që i prek qelizat ose neuronet në tru”, deklaroi Blakaj, duke shtuar se në Kosovë është rritur edhe përdorimi i amfetaminës, që vjen nga Serbia dhe Bullgaria.
Psikologu Arbër Zeka ka thënë se nëse rritet vetëdija te konsumuesit e substancave narkotike, atëherë mund të luftohet ky fenomen.
Zeka tha se ideja e tij si psikolog është shërimi i problemit e jo të vrapohet pas tij, pasi tha se ai po rritet.
“Po flasim për heroinën, përdorimi i heroinës ka rënë por po përdoren tjera. Te përdoruesit e heroinës është rrit një vetëdije edhe më e madhe se çka do të thotë heroina”.
“Vetëdija që është rritur te përdoruesit e heroinës është se këdo që e pyet, e shohin si vrasëse. Nuk e shohin vrasëse kokainën dhe nuk e shohin hiç vrasëse marihuanën. Kështu që kjo është ajo vetëdija e personave që e përdorin, nëse arrijmë ta rrisim vetëdijen atëherë do ta luftojmë këtë fenomen”, tha Zeka në Rubikon në Klan Kosova, transmeton Periskopi.
Tutje, ai u shpreh se nëse vazhdohet të luftohen vetëm ata që shesin ose i prodhojnë substancat narkotike, shteti do të dështojë.
“Por nëse vazhdojmë t’i luftojmë vetëm atë që e shesin apo e prodhojnë këtë problematikë, atëherë do të dështojmë. Pra, duhet ta kemi një qasje ndryshe, pasi ne vazhdimisht kemi një qasje stigmatizuese ndaj përdoruesve të drogës. Nuk po them ta legalizojmë, por ta dekriminalizojmë”, tha ai./Periskopi