Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë thirrje publike për qytetarët, që me rastin e festës së Kurban Bajramit, therjet rituale të bëhen vetëm në thertore të licencuara. AUV thekson se kjo masë është e domosdoshme për të respektuar ligjin dhe për të mbrojtur shëndetin publik, veçanërisht në kushtet aktuale të temperaturave të larta.
Në njoftimin zyrtar thuhet se “therjet rituale për festën e Kurban Bajramit, por edhe therjet e rëndomta, duhet të realizohen vetëm në thertoret e aprovuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë”. Lista e thertoreve të licencuara është publikuar në faqen zyrtare të AUV-së:
👉https://auvk.rks-gov.net/bizneset/bizneset-e-aprovuara-per-ushqime-me-origjine-shtazore
“Therja jashtë këtyre objekteve, përveçse përbën shkelje ligjore, rrezikon edhe shëndetin e përgjithshëm publik. Tani që po mbretërojnë temperatura të larta, rritet rreziku i kontaminimit të produkteve që i ekspozohen të nxehtit”, thuhet në apelin e AUV-së.
Autoritetet rikujtojnë se objektet e thertoreve janë nën mbikëqyrje shtetërore dhe sigurojnë standarde të larta higjienike. “Secila kafshë i nënshtrohet kontrollit para therjes, gjatë dhe pas saj. Objektet posedojnë frigoriferë, kushte teknike sanitare dhe higjienike”, thuhet më tej në komunikatë.
AUV siguron qytetarët se thertoret e licencuara në të gjithë vendin kanë kapacitete të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e festës. Festa e Kurban Bajramit sivjet kremtohet më 6 qershor, të premten.
Institucioni apelon për vetëdijesim dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve me qëllim të garantimit të sigurisë ushqimore dhe shëndetit publik.