Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, dhe në bashkëpunim me Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”, sot mbahet “Dita e Çamërisë”, një ngjarje me karakter kulturor dhe historik, që i kushtohet kujtesës dhe trashëgimisë së pasur të popullit çam.
Aktivitetet kanë nisin në orët e para të paradites në Bibliotekën e qytetit, me një program të veçantë për fëmijët, ku promovohet libri “Historia e Çamërisë përmes heronjve të saj”, një nismë edukative që synon të sjellë te brezat e rinj njohuritë mbi historinë e lavdishme të Çamërisë.
Në orën 11:30, po në bibliotekë, do të zhvillohet promovimi i filmit dhe librit “Ode për tempujt që nuk u harruan”, me regji të Pandeli Çeços dhe autorësi të Luan Ramës. Ky aktivitet pritet të sjellë emocione të forta për pjesëmarrësit, duke përkujtuar figurat dhe tempujt që kanë lënë gjurmë në historinë çame.
Mbrëmja do të kulmojë me një panair kulturor në Galerinë e qytetit, duke filluar nga ora 18:00. Ky panair do të përfshijë një ekspozitë të veshjeve tradicionale çame, një ekspozitë fotografike informuese për figurat e shquara të Çamërisë, si dhe një program artistik me këngë dhe valle popullore çame, që do të sjellin atmosferë dhe emocion për të gjithë të pranishmit.
“Dita e Çamërisë” në Gjilan po zhvillohet si një homazh i fuqishëm për ruajtjen e identitetit, historisë dhe vlerave kulturore të komunitetit çam, duke bashkuar qytetarët në një kujtesë të përbashkët kombëtare.