Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës pas dështimit të njëzet e nëntë me radhë të VV-s për të pasur shumicë parlamentare tha se situata ka kapërcyer “të gjitha kufijtë racionalë” me VV-në që po e bllokon konstituimin e Kuvendit të Kosovës me emrin e Albulena haxhiut, kur i ka edhe “40 opsion tjera”.
Krasniqi i çoi porosi Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, se shumica parlamentare është te partitë ish-opozitare – dhe se po të dëgjohej propozimi i PDK-së “sot do të kishim qeveri”.
“Fiks para katër muajsh qytetarët dolën në zgjedhje të lira demokratike për të dhënë verdiktin e tyre se në çfarë verdikti e duan vendin dhe kush duhet t’i qeverisë. Verdikti ishte i qartë, i thanë jo sundimit njëpartiak të katër vjetëve të kaluara. Katër muaj në vonë, sot, është pikërisht ajo partia e mentalitetit monist, LVV-ja ajo që nuk e lejon të konstituohet Kuvendi e më pas edhe themelimi i Qeverisë së re. Tashmë ka kaluar çdo kufi i racionalitetit, kjo më nuk është politikë, kjo është tendencë për të mbajtur në bllokadë dhe për të mbajtur peng vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ne si PDK besojmë se vendi i duhet sa më parë jo vetëm Kuvendi por edhe qeveria e re”, ka thënë ai.
Derisa u pyet për propozimin e LDK-së për qeveri gjithëpërfshirëse, Krasniqi ka thënë se tashmë s’ka çfarë të diskutohet për atë çështje.
“Qeveritë e tilla nënkuptojnë së duhet qenë krejt bashkë dhe LVV-ja e ka refuzuar qysh në start, pra nuk kemi çfarë të diskutojmë për këtë çështje… E vërteta është që potencialisht shumica parlamentare ekziston në anën e ish opozitës”, ka thënë ai.