Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve komunale, kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka reaguar përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve.
Ai e ka cilësuar ditën e zgjedhjeve si një mundësi për të zgjedhur të ardhmen e qytetit dhe ka theksuar se Gjilani ka nevojë për veprime konkrete, jo për premtime boshe.
Duke u zotuar për një qasje bashkëpunuese dhe përkushtim të sinqertë, Ismajli u ka bërë thirrje qytetarëve që të nisin së bashku një rrugëtim për t’i kthyer qytetit dinjitetin e munguar ndër vite.
Statusi i plotë:
Me fat dita e zgjedhjes së të ardhmes se qytetit tuaj!
Prej vitesh, i kam ndjekur sfidat e qytetit tonë jo si spektator, por si pjesë e përditshmërisë së secilit prej jush. Gjilani nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, por për veprime konkrete. Nuk ka nevojë për premtime boshe, por për angazhim të sinqertë e të vazhdueshëm. Sot, më shumë se kurrë, qytetarët ndjejnë se është koha për të marrë përgjegjësi. Jo për të udhëhequr nga lart, por për të bashkë-ndërtuar nga afër qytetin tonë për të cilin punojmë e veprojmë për çdo ditë.
Unë besoj në forcën e qytetarëve tanë, në mençurinë dhe në mundësinë që Gjilani të ecë përpara me dinjitet dhe përkushtim. Rruga bashkë do të jetë e lehtë, dhe, me besim e bashkëpunim të sinqertë, çdo hap i vogël kthehet në ndryshim të madh për qytetin tonë. Le ta nisim këtë rrugëtim me guxim dhe besim për të ardhmen e qytetit dhe të bashkëqytetarëve tanë. Gjilani meriton t’i kthehet dinjiteti i humbur ndërvitesh!