Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se periudha e paraburgimit për të akuzuarit në rastin “Thaçi dhe të tjerët” është përcjellë me vendime të vazhdueshme të arsyetuara nga gjykata, që justifikonin mbajtjen e tyre në masën e sigurisë.
Ajo ka theksuar se nuk është e saktë të thuhet se të akuzuarit janë mbajtur për gati dy vjet e gjysmë pa u zhvilluar gjykimi.
Sipas saj, që nga arrestimi i tyre, procesi gjyqësor ka qenë në një fazë të rëndësishme përgatitore.
“Kjo fazë, e quajtur faza paraprake, është pjesë e procesit, dhe një i akuzuar mund të mbahet në paraburgim gjatë kësaj faze përgatitore në qoftë se ekzistojnë arsyet për vazhdimin e paraburgimit, si rreziku i arratisjes, i ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve ose i kryerjes së veprave penale të tjera”, ka pohuar Trendafilova.
Ajo ka shtuar se gjatë kësaj periudhe, procesi nuk ka qenë i ndalur, por ka vazhduar përmes përgatitjeve për seancat gjyqësore.
“Vlerësimi nëse kohëzgjatja e periudhës së paraburgimit është e arsyeshme duhet të bëhet rast pas rasti, në varësi të rrethanave konkrete. Por, ajo që dëshiroj të theksoj është se gjatë periudhës që përmendet ju, procesi vazhdonte të kryhej, jo në sallën e gjyqit, por në kuptim të përgatitjes për gjykim, dhe çdo dy muaj janë dhënë vendime të arsyetuara se pse paraburgimi duhej vazhduar”, tha ajo për RTK.
Lidhur me përfundimin e procesit, Trendafilova theksoi se është ende herët për të parashikuar kur do të shpallet aktgjykimi.
“Ekipet e mbrojtjes kanë bërë të ditur se do të dorëzojnë një kërkesë të përbashkët për hedhjen poshtë të akuzave dhe na duhet të presim për të parë se çfarë do të vendosë trupi gjykues për kërkesën e tyre. Në vijim, në varësi të rezultatit të kërkesës, në qoftë se akuzat nuk hidhen poshtë, pritet që mbrojtësi i viktimave të paraqesë provat dhe argumentet e tij, që do të zgjasin afërsisht një javë”.
“Pas kësaj, do të shohim se sa kohë vlerësojnë ekipet e mbrojtjes se do t’u duhet për të përgatitur provat dhe argumentet e tyre dhe çfarë afatesh do të caktojë Trupi Gjykues. Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ekipet e mbrojtjes, gjykatësit e trupit gjykues fillojnë kuvendimet për aktgjykimin”, ka deklaruar ajo.