Gjykata e Apelit të Kosovës e ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan dhe ka urdhëruar rigjykim lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar ndaj drejtoreshës së Inspeksionit, Entela Hyseni.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, me vendimin e datës 2 maj 2025, e kishte hudhur aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan ndaj Entela Hysenit, me arsyetimin se nuk ka prova për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se ajo ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Gjykata në Gjilan, këtij vendimi i kishte bashkangjitur edhe një vendim tjetër përmirësues, të datës 15 prill 2025, duke fshirë pjesën ku thuhej se gjykata kishte analizuar përgjigjen e përfaqësuesit të të dëmtuarit, Valon Salihu, pasi që sipas gjykatës, nuk kishte pasur fare përgjigje nga i dëmtuari Salihu lidhur me kërkesën e Hysenit për hudhje të aktakuzës.
Ndaj këtij vendimi, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ushtruar ankesë me propozimin që aktakuza e tyre të konfirmohet dhe Gjykata në Gjilan të procedojë me gjykim ndaj Hysenit.
Ndaj kësaj ankese, del të ketë paraqitur përgjigje mbrojtësi i Hysenit, avokati Abdylaziz Sadiku, me propozimin që Gjykata e Apelit të vërtetojë vendimin e Themelores në Gjilan.
Gjithashtu, i dëmtuari Valon Salihu i ka propozuar Apelit që të konfirmojë aktakuzën ndaj Hysenit dhe të vijojë gjykimi ndaj të njëjtës.
Po ashtu, edhe Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan të aprovohet, të hidhet si e palejuar ankesa e të dëmtuarit Salihu dhe përgjigja e avokatit Sadiku të refuzohet si e pabazuar.
Sipas Apelit, aktakuza e Prokurorisë përmban të gjitha elementet e duhura ligjore dhe nuk ekzistojnë arsye për hedhjen e saj.
Tutje, sipas Apelit, Gjykata në Gjilan gabimisht ka aprovuar kërkesën për hedhje të aktakuzës të bërë nga Hyseni, pasi që ka prova të mjaftueshme për të rezultuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hyseni ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, thuhet se shkalla e parë ka nxjerrë përfundim të gabuar me pushimin e kësaj çështjeje penale, pasi që nuk ka vërtetuar faktet vendimtare, për të cilat duhet të dëgjohet i dëmtuari Salihu, si dhe dëshmitarët dhe provat e tjera të propozuara në aktakuzë.
Prandaj, sipas Apelit, Themelorja në Gjilan obligohet që të vazhdojë më tutje me procedim penal, të administrojë provat dhe pastaj të marrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të datës 18 mars 2025, thuhet se Entela Hyseni, më datë 2 korrik 2024, në vazhdimësi, në cilësinë e Drejtoreshës së Inspeksionit në Komunën e Gjilanit, përgjegjëse për zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të Drejtorisë së Inspeksionit, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e veta.
Kjo, pasi që sipas aktakuzës, përkundër kërkesave të vazhdueshme nga i dëmtuari Valon Salihu për ekzekutim të vendimit nr. …, për rrënim të datës 1 korrik 2024, të nxjerrë nga Inspektori i Ndërtimit, ku ishte urdhëruar menjëherë fillimi i rrënimit të murit në lagjen Fidanishta në Gjilan, e njëjta, si zyrtarja më e lartë në Drejtorinë e Inspeksionit, nuk ka autorizuar askënd dhe as nuk ka nxjerrë aktin përkatës ligjor për ekzekutimin e vendimit për rrënim.
Tutje, sipas aktakuzës, thuhet se Hyseni ka qenë e obliguar që në rast të moszbatimit vullnetar, të nxjerrë akt ligjor që do të mundësonte lejimin e ekzekutimit të vendimit për rrënim nga Drejtoria e Inspeksionit, ashtu siç është vepruar në raste të ngjashme.
Andaj, me këto veprime, të dëmtuarit Salihu i janë shkelur të drejtat e tij si qytetar dhe i është shkaktuar dëm material nga pamundësimi i shfrytëzimit të lokaleve të tij në lagjen Fidanishta.
Për këto veprime, Hyseni ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 3, nënparagrafët 3.2 dhe 3.6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi/
Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.