Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar një deklaratë të gjatë në rrjetin e tij Truth Social, ku foli për perspektivën e paqes mes Iranit dhe Izraelit pas një konflikti të drejtëprdrejtë të nisur ditët e fundit mes tyre.
Në arsyetimin e tij për arritjen e një marrëveshjeje, Trump renditi disa prej ndërhyrjeve të tij në politikën e jashtme, ku mes të tjerave përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë.
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin shumë pranë luftës, siç kanë qenë për dekada me radhë. Unë e ndala atë,” shkruan Trump në postim, duke kritikuar më pas paraardhësin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden.
“Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë të pamenduara, por unë do ta rregulloj përsëri”, theksoi Trump.
Trump iu referua marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, e cila u ndërmjetësua nga administrata e tij dhe synonte normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.
Në të njëjtin postim, Trump pretendon se ka ndikuar edhe në shmangien e konflikteve mes Egjiptit dhe Etiopisë për lumin Nil dhe midis Indisë dhe Pakistanit përmes presionit tregtar të SHBA-së. Ai përfundon me një premtim ambicioz:
“Së shpejti do të kemi PAQE mes Izraelit dhe Iranit! Shumë telefonata dhe takime po ndodhin. Unë bëj shumë, por nuk më jepet kurrë merita — s’ka problem, populli e kupton.”