Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të marrë hapa konkret ndaj Kosovës me heqjen e masave dhe dhënien e statusit të vendit kandidat.
Ajo ka thënë se zgjerimi i BE-së nuk është proces bamirësie, por strategjik dhe në dobi për të ardhmen dhe stabilitetin e Evropës.
“Gjatë adresimit tim, theksova se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është një proces bamirësie, por investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e vetë Evropës. Prandaj, është koha që BE-ja të lëvizë përpara me vendime konkrete dhe të merituara për Kosovën, përfshirë heqjen e masave të padrejta dhe dhënien e statusit të kandidatit për vendin tonë. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbahen peng nga masa që i dëmtojnë drejtpërdrejt dhe që nuk i shërbejnë as paqes, as dialogut, e as të ardhmes evropiane të rajonit tonë”, ka thënë Osmani në adersimin e saj në samitin e nivelit të lartë të liderëve të shteteve të vendeve të Evropës Juglindore në Tiranë.
Osmani ka thënë se orientimi i Kosovës është i qartë dhe i palëkundur: drejt BE-së dhe NATO-s, si pjesë e natyrshme e familjes euroatlantike.